festivali banner

Vizioni
“Festivali i Ideve Rinore 2016” është eventi kryesor vjetor organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS), në bashkëpunim me partnerët. Këtë ky festival u zhvilluar në datat 23 dhe 24 Maj në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Ky event mundëson shpalosjen dhe promovimin e dijes, imagjinatës, kreativitetit dhe produktivitetit të të rinjve shqiptarë. Qëllimi është integrimi i aftësive dhe kompetencat e fituara përmes edukimit formal, joformal e informal, me vlerat me të mira sociale, në shërbim të një zhvillimi të qëndrueshëm lokal në themel të të cilit janë, të rinjtë, komuniteti dhe ‘Shkolla si Qendër Komunitare’. Duke qenë se, ky ishte viti i dytë i organizimit të një eventi të tillë, përpos tematikave të shumta e të larmishme, “EVROPA” zuri vendin kryesor, me qëllim rritjen, ndërgjegjësimin e vlerësimin e të rinjve për një Shqipëri Evropiane. Por ajo që është më e rëndësishmja është stimulimi i imagjinatës së tyre lidhur me format konkrete, përmes të cilave, Shqipëria mund të kontribuojë aktivisht në zhvillimet lokale dhe ato rajonale në përgjithësi.

Historiku
”Festivali i Ideve Rinore 2016”, organizuar nga Instituti AIPA në bashkëpunim me MAS, mbështetet në eventin e ngjashëm të një viti më parë ‘Panairi i Ideve’ 2015 organizuar nga MAS dhe partnerët, duke krijuar tashmë një traditë në këtë drejtim, e cila është njëherazi kreative dhe novatore, pasi sjell risi e përfitime të reja, stimulon ide dhe përfshin aktorë në nivele më të gjera dhe synon arritjen e objektivave që shkojnë përtej atyre të një viti më parë.

Risi
“Festivali i Ideve Rinore 2016” këtë vit erdhi në trajtë dhe formë si eventi më i madh i organizuar me MAS, jo vetëm në rang vendi, por edhe në nivel rajoni e më gjerë, për prezantimin, promovimin dhe shkëmbimin e praktikave më të mira të realizuara në kuadrin e reformës në arsimin parauniversitar dhe një iniciativavë në zbatim të edukimit për zhvillim të qëndrueshëm që po ndërmerren paralelisht në shumë vende të rajonit, si dhe në kuadër të nismës së madhe ‘Shkolla si Qendër Komunitare” në vend. Risi tjetër nga pikëpamja përmbajtësore dhe ekspozicionale e Festivalit ishte shumë dimensionaliteti i aktiviteteve të zhvilluar në gjashtë hapësira të ndryshme, si:

1. Stenda promocionale
2. Takime dhe bisedime me personalitete të shquara
3. Workshope e seminare me eksperte nga vendi dhe jashtë
4. Aktivitete dhe evente me mësues, drejtorë, apo anëtarë të komunitetit
5. Aktivitete rekreative dhe shpalosja e tyre në hapësira të dedikuara për secilën tipologji aktivitetesh.

Koncepti i ‘Sallave (5 salla: Konferenca; Evente; Aktivitete; Trajnime; Rekreacion) reflektoi shumë dimensionalitetin përmbajtësor të Festivalit të Ideve Rinore 2016. Gjatë dy ditëve të festivalit u zhvilluan paralelisht aktivitete me nxënës, mësues, drejtues e personalitete nëpër sallat e dedikuara. Risi tjetër e këtij festivali ishte organizimi i tij në nivel bashkëpunimi ndërkombëtar, me pjesëmarrje të aktorëve nga vende të BE-së, si: Italia dhe Greqia, dhe vendet e rajonit si, Kosova, Maqedonia, Mal i Zi, çka mundësoi që ky Event të propozohet vitin që vjen si aktivitet konkurrues për fonde me financim të BE-së.

Aktorët Kryesore
Protagonistët kryesorë të këtij Festivali ishin të rinjtë në kontekstin e institucioneve të arsimit parauniversitar të rikonceptuar si aktorë qëndror në udhëheqjen e proceseve të zhvillimit të qëndrueshëm. Ndër institucionet e pranishme në këtë festival ishin shkollat qendër komunitare dhe ato të mesme, organizmat e nxënësve, klubet e nxënësve, komuniteti i mësuesve, komuniteti i prindërve, institucionet arsimore, organizata lolake e ndërkombëtare e sektori i biznesit që kanë si mision çështjet që lidhen me edukimin në përgjithësi dhe me edukimin për zhvillim të qëndrueshëm, brenda dhe jashtë vendit.

Target group
Qëllimi i këtij projekti para së gjithash ishte përfshirja e gjithë shkollave të mesme të Shqipërisë. Target kryesor janë nxënësit, ku përparësi i’u dha edhe grupeve të margjinalizuara apo nga zona të largëta si dhe individëve me aftësi të kufizuara. Një rezonancë rajonale e eventit përfshiu edhe përfaqësimin e shkollave të mesme e nga Kosova e Maqedonia, Mali i Zi si dhe pjesëmarrja e të rinjve nga vendet e BE-së. Gjithashtu evente, konferenca dhe seminare të dedikuara përfshinë mësues dhe drejtorë shkollash e të drejtorive rajonale të vendit.

Audienca
Kanalet e komunikimit dhe shpërndarja e informacionit u mundësua përmes mbulimit të masmedias, publike dhe private, ku të rinjtë prezantuan dhe promovuan aktivitetet e tyre. Gjithashtu një hapësirë e konsiderueshme iu dha publikimit përmes rrjeteve sociale dhe elemetëve promocionalë si: materiale dhe paketa promovuese të ndryshme. Audienca e synuar përfshiu një masë të gjerë publiku, duke përfshirë fashat e të rinjve si dhe të gjithë komunitetin e interesuar rreth shkollës: në veçanti nxënësit, mësuesit, prindërit, aktorët e komunitetit, bashkëpunetorë në zhvillimin e edukimit cilësor për zhvillim të qëndrueshëm.

Outputet
Rezultatet e këtij eventi mundësuan ndarjen e praktikave dhe modeleve me të mira në zbatim të komponentëve e standardeve të ‘Shkollës si Qendër Komunitare’, sipas dokumentave strategjikë të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit rreth politikave dhe reformave të saj në funksion të zhvillimit të cilësisë në arsimin parauniversitar. Gjithashtu u sigurua lidhja e bashkëpunimeve mes shkollave me qëllim krijimin e rrjetit dhe Ekosistemit të shkollave si qendra komunitare; promovim të modeleve më të mira të shkollës qendër komunitare, me qëllim konsolidimin dhe përhapjen e praktikave me të mira; ndarja e përvojave dhe perspektivave me vendet e rajonit dhe të BE-së, me qëllim lidhjen e bashkëpunimeve të ardhshme në nivel projektesh ndërkombëtare për të realizuar qëllime të përbashkëta, si dhe mundësimi i realizimit të projekteve të “Shkollave Qendër Komunitare” përmes sponsorizimeve dhe donacioneve nga aktorë përtej shkollës.